Vetëm 3 ditë nga hapja e regjistrimeve për emigrantët që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 majit 2025, kanë aplikuar për tu regjistruar mbi 12 mijë e 500 persona, nga të cilët janë miratuar 1,859 prej tyre. Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve 288 kërkesa janë refuzuar, apo 2.3 % e aplikimeve, për 94 aplikime të miratuara kërkohet dokument i ri identifikimi, e 3 të tjera janë miratuar pasi kanë përditësuar këtë dokument.
Ashtu edhe siç mund të pritej, dy shtetet që kanë barrën më të madhe të emigrantëve shqiptarë, Italia e Greqia, kryesojnë me numrin më të madh të aplikimeve për tu regjistruar në këto zgjedhje, të ndjekura nga Gjermania, e cila vitet e fundit është bërë destinacioni më i kërkuar për të emigruar për shkaqe punësimi, e pas saj vijnë Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe.
Ndërkohë aplikime ka patur edhe nga Zambia, Japonia apo Afganistani, me nga një aplikim për secilin rast, duke dëshmuar praninë e shqiptarëve në këto shtete. Parë nga bashkia përkatëse, ku emigrantët kanë qenë para se të largoheshin nga vendi, Tirana, Fieri, Durrësi e Shkodra mbajnë rekordin me numrin më të lartë të aplikimeve, ndërsa bashkitë minoritare si Pusteci, Finiqi e Dropulli, kanë numrin më të ulët të aplikantëve. Deri në këto moment, presin shqyrtimin nga KQZ 82.1% e aplikimeve apo 10 292 emigrantë.
