Mazhoranca ka rrëzuar me 77 vota kundër kërkesën e PD për të nisur procedurën e përshpejtuar sa i përket projektligjit të propozuar për naftën.

Deputeti demokrat, Eno Bozdo, argumentoi kërkesën e PD, ku në propozim theksohej futja e një mekanizmi të ri për të kontrolluar çmimin e naftës.

“Çfarë na ofron qeveria shqiptare sot? Bordin e transparencës që vetëm vrojton rritjen. Bordi është vullneti politik i kryeministrit. Ndërsa mekanizmi ynë është ligji që mbron qytetarët.

Le ta miratojmë këtë projektligj sot, për të shprehur vullnetin politik se do t’i reduktojmë taksat e naftës dhe bashkë me to, do të miratojmë edhe një mekanizëm që jo vetëm menaxhon sipas standardeve më të mira europiane rezervën e sigurisë, por siguron transparencë.

Për këtë krizë, por edhe për të tjera, garantojmë që çmimi do të ulet automatikisht dhe qeveria nuk do të përfitojë nga kriza. Ta miratojmë këtë ligj edhe për të dhënë sinjalin që edhe në kohë të vështira, mendojmë për ekonominë familjare, kombëtare, për fermerët”, tha Bozdo.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla, tha se nuk mund të sillet për t’u votuar një projektligj, i cili nuk ndodhet në rendin e ditës.

“Në vend që të arsyetohej kërkesa e 36 deputetëve për arsyet e procedurës së përshpejtuar, u bë politikë e ditës mbi një fakt që është botëror. Përpara se të shkoj aty, për të vijuar atë që thashë në fillim të kësaj seance, lidhur me një kërkesë tjetër. Ju përmenda një fakt që për disa iu duk qesharak, sepse iu kujtova Bundestagun gjerman. Është një model që e ndjek. Në Bundestagun gjerman kanë qenë 83 ligje të miratuara, nga të cilat nuk është miratuar asnjë ligj nga opozita dhe është e natyrshme. Ekskluzivitetin në Bundestag e ka qeveria federale dhe pjesën tjetër e ka pasur koalicioni. Ishin edhe tri ligje të miratuara me konsensus të opozitës dhe shumicës. Ftesa është e hapur. Nëse doni të punojmë së bashku, bujrum. Por pa forcë, molotovë, pa dhunë, pa gërdufje, bujrum, t’i miratojmë.

Për transparencën e publikut dhe kolegëve: para 48 orësh kishim një konferencë të kryetarëve. Këtë gjë këtu, sapo dëgjuat, as nuk e tha askush prej tyre. Ne bëmë kalendarin çfarë ka në datat 7, 16, 23, 30. Këtë projektligj e kemi miratuar me konsensus që ta kemi më 30 në kalendar. Pse nuk na e thatë në konferencë të kryetarëve? Z. Eno, nuk e bëjmë dot këtë që thua ti, nuk kemi mundësi. Nuk e bëjmë dot atë që kemi bërë me konsensus.

U tha se nafta në Shqipëri vjen më shtrenjtë se në vendet e tjera. Nafta është mall burse. Shqipëria sot blen në bursë. Kompania që e sjell në Shqipëri është një nga tre kolosët më të mëdhenj të naftës: British Petroleum, që është furnizuesi kryesor i Shqipërisë sot, çdo mëngjes shet me çmim burse.

E paskemi fajin ne që SHBA ka sulmuar Iranin dhe për pasojë regjimi i Iranit ka bllokuar Ngushticën e Hormuzit dhe për pasojë ka ardhur rritja e çmimit në bursë të naftës. E kemi mbështetur Presidentin e SHBA-së dhe goditjen e regjimit të Iranit. Është në turpin tuaj që keni munguar në seancën kundër regjimit iranian. Bordi i Transparencës është një mekanizëm i përdorur edhe katër vite më parë kur Rusia sulmoi Ukrainën dhe padyshim që ka dhënë efektet e veta.

Ju mos u mërzisni se nismat tuaja ligjore i votojmë kundër. Ka raste edhe propozime që bëjnë sens, ne jemi të gatshëm t’i diskutojmë nismat tuaja ligjore, por jo me këtë variantin që ju thashë në fillim të seancës”, u shpreh Balla.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds