Policia e Fierit ka finalizuar operacionin policor antidrogë, i koduar “Casus” me arrestimin e 31-vjeçarit që siguronte lëndë narkotike Cannabis Sativa dhe e ndante në doza, me qëllim shitjen.
Policia sekuestron 3.6 kg Cannabis, peshore që shërbente për ndarjen e saj dhe një shumë parash e përfituar nga shitja e lëndës dhe 2 celularë.
Si rezultat i menaxhimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë policore, për një shtetas të implikuar në shitjen e lëndëve narkotike, kryesisht në Roskovec, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me ata të Seksionit të Forcës Operacionale, finalizuan operacionin “Casus”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi J. Ç., 31 vjeç, banues në Roskovec.
Gjatë kontrolleve fizike dhe në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi me cilësinë e provës materiale:
-në total, 3.6 kg lëndë narkotike Cannabis (një pjesë, e ndarë në doza);
-1 peshore elektronike;
-një shumë parash, e dyshuar e përfituar nga shitja e lëndës narkotike;
-2 celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.