Një 23-vjeçare britanike u qëllua për vdekje nga i ati gjatë një vizite në shtëpinë e tij në Teksas.
Siç bëjnë me dije hetimet, ajo kishte pasur një debat të ashpër me babanë e saj për Presidentin amerikan Donald Trump më herët po atë ditë.
Lucy Harrison, nga Cheshire, u qëllua në gjoks më 10 janar 2025 në Prosper, pranë Dallasit.
Në seancën hetimore të hapur në Gjykatën e Cheshire, i dashuri i saj, Sam Littler, dëshmoi për një “debat të madh” mes Lucy-t dhe babait të saj lidhur me Trump. Sipas Littler, Lucy shqetësohej shpesh kur i ati fliste për armët që zotëronte.
Ai tregoi se, gjatë debatit, Lucy e kishte pyetur të atin: “Si do të ndiheshe nëse unë do të isha vajza në atë situatë dhe do të isha sulmuar seksualisht?”. Sipas dëshmisë, Kris Harrison ishte përgjigjur se kishte edhe dy vajza të tjera që jetonin me të dhe se kjo “nuk do ta shqetësonte aq shumë”.
Rreth gjysmë ore para se çifti të nisej për në aeroport, Lucy ndodhej në kuzhinë kur i ati e mori përdore dhe e çoi në dhomën e tij të gjumit në katin përdhes. Littler dëshmoi se rreth 15 sekonda më pas dëgjoi një krismë të fortë dhe më pas britmat e Kris Harrison që thërriste bashkëshorten e tij.
“Kur hyra në dhomë, Lucy ishte shtrirë në dysheme pranë hyrjes së banjës dhe Kris po bërtiste pa kuptim,” tha ai.
Në një deklaratë të dërguar në gjykatë, Kris Harrison tha se ai dhe vajza e tij po shikonin një lajm për krimin me armë kur ai i kishte thënë se kishte një armë dhe e kishte pyetur nëse donte ta shihte. Ai e çoi në dhomën e gjumit për t’i treguar një pistoletë.
“Nuk e kuptova çfarë ndodhi. Lucy ra menjëherë,” thuhej në deklaratë. Ai shtoi se nuk mbante mend nëse gishti i tij ishte në këmbëz.
Hetimi zbuloi se Kris Harrison kishte pasur probleme me alkoolin në të kaluarën dhe kishte ndjekur rehabilitim. Ai pranoi se kishte konsumuar rreth 500 ml verë të bardhë.
