Çmimi i domateve këto ditë në tregjet e pakicës ka shënuar rekorde rreth 300-400 lekë për kg për domaten normale dhe 700-800 lekë për kilogram, për domaten qershi. Ndërkohë sipas tregut dhe Portalit të Fermerëve dje një kilogram domate me shumicë kushtoi 170-270 lekë.
Edhe INSTAT konfirmon se krahasimi i muajve shkurt ndër vite tregon se viti 2026 shënon nivelin më të lartë të çmimit mesatar në katër vitet e fundit, duke lënë pas edhe kulmin e regjistruar në vitin 2023.
Gjithashtu tregëtarët tregojnë se nuk ka ndodhur më parë kjo rritje çmimi që e bën të pamundur për ata ta shesin dhe për konsumatorët që ta blejnë.
Edhe pse kjo zarzavate nuk është në kohën e saj, sezoni i dytë i serave e sillte këtë produkt me çmime të pranueshme në tezga në fillim prilli.
Por serat e specializuara për eksport në Lushnjë, Fier dhe Berat u përmbytën katër herë nga nëntori 2025 në shkurt 2026, duke humbur një pjesë të madhe të prodhimit dhe fidanishteve të reja.
Faktorë të tjerë që shkaktuan rritjen janë kostot e larta të inputeve bujqësore, mungesa e fuqisë punëtore dhe mos dhënia e subvencioneve për fermerët nga qeveria.
