Pas zhvendosjes së ndeshjeve për shkak të Ditës së Zisë Kombëtare (u nda nga jeta ish-kryeministri Fatos Nano), sot rikthehet Kategoria Superiore me tri përballje të javës së 10-të, duke premtuar emocione dhe rivalitet në garën për kreun dhe për zonën e mbijetesës.
Vëmendja më e madhe do të jetë në “Selman Stërmasi”, ku Tirana hap një kapitull të ri në pankinë.
Tirana – Bylis, ora 14:00 (Selmna Stërmasi)
Debutim zyrtar për Ardit Nuhiun në pankinën bardheblu, me tifozët që do të presin të shohin se si do të reagojë skuadra pas luhatjeve të ndeshjeve të fundit.
Tirana synon të rikthehet te fitorja dhe të rigjejë qetësinë, ndërsa Bylisi vjen si gjithmonë me stilin e tij luftarak dhe me synimin për të marrë pikë në transfertë.
Në këtë duel pritet një sfidë fizike dhe taktike, ku episodet do të kenë peshë të madhe.
Dinamo City – Teuta, ora 17:00 (Elbasan Arena)
Dinamo City ka treguar rritje dhe kërkon të konsolidohet në zonën e sipërme të renditjes. Durrsakët, nga ana tjetër, janë në kërkim të stabilitetit dhe një rezultati pozitiv që do të rrisë besimin në grup.
Një sfidë direkte mes dy ekipesh që do të luftojnë fort në mesfushë dhe që vijnë me objektiva të qartë për të mos humbur terren.
Flamurtari – AF Elbasani, ora 17:00 (‘Flamurtari’)
Vlora gati për një përballje elektrizuese. Flamurtari do të kërkojë të vazhdojë formën pozitive, ndërsa AF Elbasani ka treguar se di të surprizojë dhe do të përpiqet të shfrytëzojë çdo hapësirë për të marrë rezultat.
Duel i fortë midis dy skuadrave historike që rikthejnë një rivalitet të vjetër futbollistik.
Nesër vijon programi
Java mbyllet të martën, me dy takime po aq interesante:
FK Vora – Partizani, ora 16:00
Egnatia – Vllaznia, ora 16:00
