Në brigjet e Italisë Jugore kanë humbur jetën më shumë se11 persona dhe më shumë se 60 janë zhdukur si pasojë e dy incidenteve me anije, thanë ekipet e shpëtimit. Organizata bamirëse gjermane RESQSHIP tha se mori në bord 51 persona që ndodheshin në një varkë prej druri që po fundosej dhe gjeti 10 trupa të bllokuar në kuvertën e poshtme pranë ishullit Lampedusa të hënën. Në një incident të veçantë në të njëjtën ditë, më shumë se 60 persona u raportuan të zhdukur, ku 26 prej tyre dyshohet se ishin fëmijë, tha Médecins Sans Frontières. Barkat mbanin emigrantë që ishin nisur nga Libia dhe Turqia, thanë agjencitë e OKB-së. Të mbijetuarit e anijes pranë Lampedusa-s iu dorëzuan rojes bregdetare italiane dhe u nxorën në breg mëngjesin e së hënës, ndërsa trupat e pajetë u dërguan në ishull po ashtu. Varka ishte nisur nga Libia dhe mbante emigrantë nga Siria, Egjipti, Pakistani dhe Bangladeshi, tha në një deklaratë të përbashkët agjencia e OKB-së për refugjatët UNHCR, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) dhe agjencia e OKB-së për fëmijë UNICEF. Anija tjetër e mbytur ndodhej rreth 200 km larg brigjeve të Kalabrisë në Italinë jugore, thanë agjencitë. Një nga 12 personat e mbijetuar vdiq pasi zbriti në tokë – tha roja bregdetare italiane ndërsa grupet e ndihmave thanë se kishin dëgjuar nga të mbijetuarit se rreth 66 persona ishin të zhdukur, përfshirë të paktën 26 fëmijë, disa prej tyre vetëm pak muajsh. “Familje të tëra nga Afganistani mund të kenë vdekur. Ata u nisën nga Turqia tetë ditë më parë dhe kishin ujë për tre ose katër ditë. Ata thanë se nuk kishin jelek shpëtimi dhe disa anije nuk ndaluan për t’i ndihmuar”, thanë vullnetarët. Mesdheu është rruga më vdekjeprurëse e njohur e migrimit në botë. Më shumë se 23,500 emigrantë kanë vdekur ose janë zhdukur në ujërat e tij që nga viti 2014, sipas të dhënave të OKB-së.
