Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një bashkëbisedim online me qytetarët, ku ka kritikuar ashpër qeverinë për politikat e çmimeve të karburantit dhe mbështetjen sociale.
Berisha u shpreh se qeveria mban një qëndrim “cinik” ndaj rritjes së çmimit të naftës, duke theksuar se shqiptarët paguajnë sipas tij rreth 1.1 euro për litër për shkak të taksave të larta fiskale.
Në deklaratën e tij, Berisha kritikoi edhe politikat sociale ndaj pensionistëve, duke thënë se mbështetja aktuale është e pamjaftueshme dhe simbolike.
“Qeveria mban qëndrim cinik ndaj rritjes së çmimit më të lartë në botë për naftën. Nafta shënoi çmim rekord botëror, jo se u rrit shumë për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, por për shkak të taksës fiskale të vendosur nga kjo qeveri, ku qytetarët paguajnë 1.1 euro për çdo litër naftë.
Miliarderët që marrin për jahtet super luksoze e marrin naftën me 60 lekë litri, ndërsa fermeri detyrohet ta paguajë më 220 lekë litrin. Qindra fermerë do të falimentojnë dhe toka do të mbesë djerrë.
Ky qëndrim është i pa shpirt, njëlloj si ai për pensionistët. U jep shumicës 2 kile domate shtesë mujore. Kjo është tallje e re për pensionistët”, tha ai.
