Kreu i PD në një komunikim me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, u ndal sërish te emërimi i ish-deputetit demokrat Dashnor Sula, si Kryeinspektor i Përgjithshëm.
Ai tha se Edi Ramës iu anulua vizita në konferencën e Mynihut, dhe se i “mbeti në dorë Dashi”.
“Por java pati edhe një zhvillim tjetër dramatik për organizatën kriminale me në krye Edi Ramën dhe vetë Edi Ramën. U anulua shkuarja e tij në Mynih. Mynihu është konferenca më e rëndësishme vjetore në botë që zhvillohet për sigurinë. Në Mynih diskutohen çështjet më madhore të sigurisë në Europë dhe në botë.
Edi Rama nuk ishte i denjë për atë konferencë. E vërteta është se delegacionin e nisi, por vetë nuk shkoi sot, i mbeti Dashi në dorë. Dash Sulën e kam fjalën. Nuk shkoi sot. Dhe kjo ishte një mbështetje e madhe për qytetarët shqiptarë, për Shqipërinë.
Kjo ishte, edhe njëherë dëshmi e një rrethi të kuq nga i cili Edi Rama nuk del dot kurrë. Të dashur miq, fatet e Shqipërisë, të familjeve tona, të fëmijëve tanë, duhet dhe do të jenë në duart tona. Ndaj dhe të vazhdojmë ne kryengritjen tonë paqësore, të sigurt se ecim drejt fitores”, tha Berisha.
