Kurasao ka arritur një moment historik në futbollin botëror, duke siguruar një barazim 0-0 ndaj Xhamajkës duke u bërë kombi më i vogël në botë, për nga popullsia, që kualifikohet në një Kupë të Botës. Së bashku me të, biletën e Botërorit e siguruan edhe përfaqësueset e CONCACAF-it, Panama dhe Haiti.

Me vetëm 156,115 banorë, sipas të dhënave zyrtare të janarit, Kurasao rrëzon rekordin e vendosur nga Islanda (350 mijë banorë) në Botërorin 2018. Për më tepër, skuadra u kualifikua e pamposhtur, duke kryesuar Grupin B me 12 pikë dhe duke prekur për herë të parë Botërorin.

Kualifikimi vjen pavarësisht mungesës në stol të trajnerit legjendar Dick Advocaat, i cili u detyrua të kthehej në Holandë për arsye familjare. Advocaat, me një karrierë të pasur ku ka drejtuar Holandën në tre periudha të ndryshme, si dhe kombëtare si Koreja e Jugut, Belgjika dhe Rusia, ka qenë një figurë kyçe në ngritjen e ekipit.

Panama siguroi kualifikimin e saj të dytë historik pas fitores 3-0 ndaj El Salvadorit. Golat u realizuan nga Cesar Blackman (17’), Erick Davis (45’) dhe Jose Luis Rodriguez (85’). Panamezët, të cilët kanë luajtur vetëm një herë më parë në Botëror – në Rusi 2018 – e mbyllën Grupin A me 12 pikë, duke lënë pas Surinamin që u mund 3-1 nga Guatemalë.

Haiti, ndërkohë, surprizoi të gjithë duke triumfuar në Grupin C dhe duke lënë pas favoritët Honduras dhe Kosta Rika. Fitorja 2-1 ndaj Nikaraguas, me golat e Loicious Deedson (9’) dhe Ruben Providence (45’), i dha haitianëve një kualifikim historik, të dytin në historinë e tyre pas Botërorit 1974.

Haiti e mbylli grupin me 11 pikë, ndërsa Honduras u rendit me 9 dhe Kosta Rika me 7.

Ky edicion i kualifikimeve në CONCACAF po cilësohet tashmë si një nga më befasuesit, duke sjellë në Botëror një kombinim të historisë, surprizave dhe rekordeve të reja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *