Instituti Konservator Shqiptar prezanton sot një studim gjithëpërfshirës mbi gjendjen e ekonomisë shqiptare, modelin ekonomik që është ndërtuar vitet e fundit, duke evidentuar varësinë nga flukset e paligjshme financiare dhe pasojat e rënda që kjo sjell për zhvillimin e vendit dhe demokracinë.

Studimi tregon se, megjithëse rritja ekonomike ka qenë mesatarisht rreth 4% gjatë viteve 2022–2024, kjo rritje është artificiale dhe e mbështetur kryesisht te ndërtimi dhe shërbimet – sektorë që furnizohen në masë të madhe nga pastrimi i parave të jashtëligjshme. Prodhimi industrial ra me 7.7% në vitin 2024, bujqësia (në rënie prej tremujorit të fundit të vitit 2021), ra me 2.7%, ndërsa produktiviteti ka qenë në rënie të vazhdueshme.

Sipas të dhënave të OKB-së, flukset e paligjshme që hyjnë në Shqipëri arrijnë në një vlerësim konservator, 1–4 miliardë euro në vit, ose 5–17% të PBB-së (raporte të tjera e japin përqindjen dhe më të lartë), duke shkaktuar:

– forcim të pashpjegueshëm të lekut (+30% ndaj euros në periudhën 2015–2025),

– deformim të modelit zhvillimor

– thellim të deficitit tregtar, me rënie të vazhdueshme në produktivitet dhe eksporte

– rënie në vend të fundit për sa i përket klimës së biznesit

– lulëzim artificial të ndërtimit, ku vetëm 22% e financimit vjen nga bankat dhe pjesa tjetër nga burime të panjohura.

Raporti thekson gjithashtu krizën demografike: mbi 1.1 milionë qytetarë sipas EUROSTAT kanë emigruar që prej vitit 2014, ndërsa nataliteti ka rënë në nivelet më të ulëta në botë. Kjo e bën Shqipërinë një vend që po humb fuqinë punëtore dhe perspektivën afatgjatë të zhvillimit dhe të demografisë. 

Rekomandimet e Institutit Konservator Shqiptar për ndryshimin e modelit ekonomik përfshijnë:

– ulje të ndjeshme të taksave dhe burokracisë për të nxitur prodhimin dhe eksportet,
-çlirimin e tregut nga ndërhyrjet dhe favoritizmat shtetërore,
-forcimin e luftës në mënyrë të pakompromis kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar,
-orientimin e investimeve drejt prodhimit, inocavionit dhe pavarësisë energjetike.

Shqipëria nuk mund të mbështesë ekonominë e saj mbi flukset e paligjshme të parasë. Ky model është i paqëndrueshëm dhe, siç e tregon në mënyrë të qartë studimi, edhe nëpërmjet një modeli ekonometrik, rrezikon një kolaps të plotë në momentin që këto flukse ndërpriten. Zgjidhja është e qartë: një ekonomi e lirë, prodhuese dhe konkurruese, e bazuar te puna dhe inovacioni, jo te korrupsioni dhe krimi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *