Aeroporti i Mynihut u mbyll përsëri të premten në mbrëmje pasi u panë dronë në zonë. Një zëdhënës i policisë së aeroportit konfirmoi se të dy pistat ishin mbyllur, por arsyeja nuk ishte ende e qartë. Siç raportohet aeroporti do të jetë i mbyllur deri në orën 06:00 të së shtunës. Kjo është hera e dytë që aeroporti i Mynihut mbyllet brenda 24 orëve.
Problemet e para thuhet se filluan pak pas orës 22:00 të së premtes, më 3 tetor. Harta në kohë reale në platformën Flightradar24 tregon se që nga ora 22:50, më shumë se 30 fluturime hyrëse ishin devijuar dhe lidhjet ishin anuluar, përveç disa nisjeve të planifikuara që mbeten të pezulluara.
“Mbrëmjen e 3 tetorit, kontrolli gjerman i trafikut ajror (DFS) kufizoi operacionet e fluturimeve në aeroportin e Mynihut si një masë paraprake për shkak të pranisë së pakonfirmuara të dronëve dhe i pezulloi ato deri në një njoftim të ri. Është e rëndësishme të theksohet se zbulimi dhe mbrojtja ndaj dronëve janë detyra sovrane dhe hyjnë në përgjegjësinë e policisë federale dhe shtetërore”, shpjegon kompania që menaxhon aeroportin në një deklaratë.
