Një tjetër rast i mosdeklarimit të shumave të mëdha të parave në kufi është goditur nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë. Një 67-vjeçar është proceduar penalisht pasi tentoi të nxirrte nga Shqipëria 38 mijë dollarë amerikanë, të cilët i kishte fshehur në trup, pa i deklaruar në pikën e kalimit kufitar.

Sipas Policisë, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimit të DVKM Korçë, bazuar në informacione operative, ndaluan për kontroll automjetin që drejtohej nga shtetasi Gj. F., në afërsi të Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë. Gjatë kontrollit fizik, policia konstatoi se 67-vjeçari mbante të fshehura në trup 38 000 dollarë amerikanë, të padeklaruara në kufi.

Kontrollet u shtrinë edhe në banesën e tij, ku specialistët e policisë gjetën dhe sekuestruan një tjetër shumë prej 35 000 eurosh. Të gjitha shumat monetare u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet ndaj shtetasit Gj. F., 67 vjeç, banues në Korçë, u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë. Ai akuzohet për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *