Hyn në fuqi rregullorja që i hap rrugë njohjes së periudhave të punës në ish-ndërmarrjet shtetërore përpara vitit 1993, për efekt përfitimi të pensionit.
Sipas rregullores “Për zbatimin e ligjit nr. 7/2025, “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore përkatëse”, përfitojnë nga ky ligj të gjithë ata persona që kanë punuar në: Ish-institucione apo ndërmarrje shtetërore (deri më 1 tetor 1993), Ish-ndërmarrje bujqësore (deri më 17 tetor 1992), Kooperativa bujqësore (deri më 19 korrik 1991).
Ligji u vjen në ndihmë qytetarëve të cilëve u është refuzuar pensioni për mungesë vitesh sigurimi, ose atyre që kanë pasur periudha të punës që nuk janë njohur më parë nga ISSH, apo zvarriten prej vitesh në çështje gjyqësorë.
Rregullorja përcakton se kërkesa për trajtim bëhet vetëm nëpërmjet portalit e-Albania, në shërbimin “Aplikim për pension”, ku kërkuesi duhet të përzgjedhë opsionin për t’u trajtuar sipas ligjit nr. 7/2025.
Kategoritë që përfitojnë nga zbatimi i ligjit janë:
Ata që kanë plotësuar moshën për pension pas hyrjes në fuqi të ligjit;
Persona që ende nuk kanë marrë pension, edhe pse kanë mbushur moshën;
Aplikantë të cilëve u është refuzuar pensioni për mungesë periudhe sigurimi;
Përfitues të pensionit, të cilëve nuk u janë njohur disa vite pune dhe kanë bërë ankim;
Persona që janë në proces gjyqësor për vërtetimin e periudhave të punësimit.
Për të përfituar nga ligji, rregullorja përcakton se aplikantët duhet të dorëzojnë dokumente si:
Certifikata familjare e periudhës përkatëse, që provon vendbanimin; Vërtetim penal, që provon se kërkuesi nuk ka qenë i dënuar për arsye jo-politike gjatë asaj kohe etj.
Çdo kërkesë për njohje të viteve të punës për efekt pensioni do të shqyrtohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore sipas procedurave standarde të përfitimit të pensionit.