Hungaria, e cila po bllokon dhënien e një kredie prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, nuk do të tërhiqet derisa Kievi të rikthejë furnizimin me naftë ruse përmes tubacionit Druzhba. Kështu ka paralajmëruar kryeministri hungarez Viktor Orban, disa orë para një samiti evropian për të diskutuar çështjen.
“Pozicioni i Hungarisë është shumë i thjeshtë: ne do ta ndihmojmë Ukrainën kur të kemi naftën tonë, të cilën ata po e bllokojnë. Deri atëherë, ne nuk mund të mbështesim asnjë propozim në favor të ukrainasve”, u tha Orbán gazetarëve pas mbërritjes së tij në Bruksel.
Në dhjetor, Viktor Orban kishte pranuar dhënien e një kredie prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, duke siguruar, së bashku me Sllovakinë dhe Republikën Çeke, se nuk do të merrte pjesë.
Kievi ka nevojë urgjente për këto burime për të financuar luftën kundër Rusisë në vitet 2026 dhe 2027. Por Orban, refuzon kategorikisht dakordësinë me procedurat për lirimin e kredisë nëse nuk siguron rifillimin e rrjedhës së naftës përmes tubacionit Druzhba që kalon nëpër Ukrainë.
Tubacioni u dëmtua nga sulmet ruse më 27 janar dhe Budapesti akuzon Kievin për vonesën e punimeve të restaurimit të tij.
“Pa naftë, nuk ka para”, paralajmëroi Orban.
Qëndrimi i tij është dënuar nga shumë udhëheqës evropianë që duan të ushtrojnë presion mbi kryeministrin hungarez, duke e akuzuar atë se nuk i mban angazhimet e tij.
“Ai po e përdor Ukrainën si armë në fushatën e tij zgjedhore dhe kjo nuk është mirë. Ne patëm një marrëveshje”, tha kryeministri finlandez Petteri Orpo para fillimit të Këshillit Evropian.
