Gjykata Speciale në Hagë vendosi që Hashim Thaçi të vijojë të mbetet në paraburgim, e këtë lëvizje të saj e justifikoi me pretendimin se bazat ligjore për qëndrimin e tij në qendrat e paraburgimit vazhdojnë të jenë të vlefshme edhe pas shqyrtimit më të fundit.

Sipas gjykatës, rreziqet e parashikuara në Nenin 41 – rreziku i arratisjes, mundësia e pengimit të procedurës dhe rreziku i kryerjes së veprave të reja penale – ekzistojnë ende dhe nuk mund të zbuten përmes masave më të lehta se paraburgimi. Zyra e Prokurorit të Specializuar insistoi se asnjë kusht lirimi nuk i shmang në mënyrë të sigurte këto rreziqe.

“ZPS-ja argumenton se paraburgimi i vazhdueshëm i z. Thaçi mbetet proporcional, duke pasur parasysh kohën e kufizuar që ka kaluar, dënimin potencialisht të gjatë me të cilin ai përballet dhe progresin e procedurave aktuale”, thuhet në njoftimin e saj. Mbrojtja nga ana tjetër kërkoi rivlerësim duke theksuar ndryshimet e rrethanave pas përfundimit të fazës së provave në çështjen kryesore të vitit 2020.
Gjykatësi në fund theksoi se nuk janë paraqitur ndryshime të mjaftueshme që do të justifikonin lirimin e ish-presidentit në këtë fazë. Ndërkohë, Gjykata caktoi edhe afatet e reja procedural sipas të të cilave, Thaçi, në tërësi mund të reagojë e shumta deri në 27 janar 2026.

Ish presidenti i Kosovës përballet me dy procese të ndara në Hagë, një për krime lufte, që ka nisur që nga viti 2020, dhe një tjetër për pengim drejtësie.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *