Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian po përballet me sfida të reja pas paralajmërimit të Greqisë se do të bllokojë hapjen e kapitujve të rinj të negociatave.

 Ky vendim i Athinës lidhet drejtpërdrejt me çështjen e Fredi Belerit, kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim me akuza për blerje votash.

Autoritetet greke kërkojnë që Beleri të lejohet të ushtrojë mandatin e tij dhe shprehin shqetësim lidhur me të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, duke e cilësuar ndalimin e tij si një shkelje të këtyre të drejtave.

Në këtë kuadër, Greqia ka paralajmëruar se nuk do të japë mbështetje për avancimin e mëtejshëm të negociatave për anëtarësim në BE, për aq kohë sa kjo çështje nuk zgjidhet.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare thekson se sistemi i drejtësisë funksionon në mënyrë të pavarur dhe se çështja e Belerit është një ceshtje juridike, e jo politike.

 Megjithatë, pa marrëveshje me Athinën, procesi i integrimit mund të ngadalësohet ndjeshëm, duke rrezikuar afatet dhe objektivat e vendit për anëtarësim.

Në Bruksel, kjo situatë po ndiqet me vëmendje, pasi çdo mosmarrëveshje mes vendeve anëtare mund të ndikojë në dinamiken e zgjerimit të Bashkimit Europian, veçanërisht për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë, priten ndërhyrje diplomatike për të zbutur tensionet dhe për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *