Akropoli do të qëndrojë i mbyllur të martën, për shkak të temperaturave shumë të larta që kanë përfshirë Greqinë.  Ministria e Kulturës në Greqi njoftoi se monumenti i njohur në Athinë do të mbyllet nga ora 13:00 deri në 17:00, sipas kohës lokale.

Temperatura deri në 42 gradë Celsius priten të martën në disa pjesë të Greqisë, ndërsa për disa rajone është shpallur alarmi i nivelit katër për zjarre – që nënkupton rrezik shumë të lartë.

Zjarre tashmë kanë shpërthyer edhe në vende të tjera të Evropës, si Franca dhe rajoni i Katalonjës në Spanjë, pak javë pasi këto zona u përballën me një valë të të nxehtit që shkaktoi edhe viktima.

I nxehti ekstrem e ka detyruar mbylljen e këtij atraksioni të njohur edhe në qershor, edhe në korrikun e kaluar.  Autoritetet thanë se mbyllja bëhet për “sigurinë e punëtorëve dhe vizitorëve” në këtë vend, i cili vizitohet nga dhjetëra mijëra njerëz çdo ditë.

Gjatë vitit 2024, atë e vizituan gjithsej 4.5 milionë njerëz.  Ministria e Punës e Greqisë ka vendosur tashmë edhe një ndalesë të detyrueshme të punës për pesë orë për punëtorët që punojnë jashtë, në zonat ku temperaturat pritet të jenë të larta.

Vala aktuale e të nxehtit do të vazhdojë deri të mërkurën, me temperatura që do të arrijnë deri në 40-42 gradë Celsius në jug të vendit. Pastaj, nga e enjtja, temperaturat pritet të bien gradualisht.

Një valë e fortë nxehtësie goditi pjesën perëndimore dhe jugore të Evropës në fillim të kësaj vere, duke shkaktuar evakuime masive dhe shkatërrime të shtëpive dhe bizneseve.

Sipas Panelit Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, valët e të nxehtit janë duke u shtuar për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit./REL

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds