Ish-agjenti i FBI-së, Geoffrey Kelly, që ka rikuperuar mbi 100 milionë dollarë vepra arti të vjedhura, thotë se grabitësit e “Louvre”-it bënë një gabim fatal, i cili do t’i çojë hetuesit drejt bizhuterive të vjedhura.
Më 19 tetor, katër persona të veshur si punëtorë ndërtimi hynë në një krah të muzeut të famshëm të Parisit dhe vodhën bizhuteri mbretërore me vlerë mbi 100 milionë dollarë, në një operacion që zgjati më pak se tetë minuta.
Por, sipas ish agjentit të FBI-së, këta nuk ishin aspak “mjeshtra” si në filmat e Hollivudit. “Njerëzit duan të besojnë se grabitjet janë më të sofistikuara sesa janë në të vërtetë. Por këta nuk ishin gjeni të krimit”, tha ai për “Daily Mail”.
ADN-ja dhe gabimi që i tradhtoi
Dy nga autorët u arrestuan të shtunën në Paris, pak para se të arratiseshin me avion drejt Algjerisë dhe Malit, vende që nuk kanë marrëveshje ekstradimi me Francën.
Ata u identifikuan përmes ADN-së së lënë në vendngjarje, ndërsa policia gjeti dy sharra elektrike, karburant, doreza, një radio, jelek të verdhë dhe një batanije.
Kelly thekson se kjo ishte “gabimi që i fundos”. “Sot mjafton një gjurmë mikroskopike ADN-je për t’u zbuluar. Kur dëgjova për mjetet e lëna pas, e kuptova që do kapeshin shpejt”, tha ai.
Sipas mediave franceze, të arrestuarit ishin të njohur për policinë dhe kishin qenë të përfshirë edhe më parë në grabitje të bizhuterive. ADN-ja e tyre mund të jetë gjetur në bazat e të dhënave kriminale ose përmes shërbimeve gjenetike si 23&Me apo AncestryDNA.
Kelly, i cili krijoi njësinë e parë të FBI-së për krime arti, thotë se muzeumet janë objektiva më të lehtë se sa një argjendari luksoze.
“Në çdo muze ka një përplasje midis sigurisë dhe përvojës së vizitorit. Kuratorët duan që njerëzit të afrohen me veprat, ndërsa sigurimi kërkon distancë dhe mbrojtje. Kjo e bën çdo muze një ‘shënjestër të butë’,” shpjegon ai.
Sipas tij, zgjedhja për të grabitur vetë Luvrin, një nga institucionet më të famshme në botë, ishte një gabim i madh:
“Ishte shumë simbolike, shumë e ekspozuar dhe tepër e rëndësishme për Francën që të mos zbardhej. Edhe hajdutët më të zgjuar nuk mund t’i shpëtojnë gjithë forcës së policisë franceze,” tha Kelly.
Kelly parashikon që dy të arrestuarit do të bashkëpunojnë me hetuesit, pasi provat e ADN-së janë të pakundërshtueshme.
“Do tregojnë gjithçka për të lehtësuar dënimin. Nuk ka nder mes hajdutësh,” tha ai.
Ai shtoi se grupi duket më shumë si një bandë oportuniste, jo si një organizatë e orkestruar nga ndonjë “koleksionist në hije”, si në filmat hollivudianë. Kelly shpreson që bizhuteritë nuk janë shkrirë apo ricopëtuar ende, pasi kjo mund t’i ndihmojë autoritetet për t’i rikthyer ato.
“Nëse janë të mençur, do t’i mbajnë të paprekura për t’i përdorur si kartë negociuese në rast arrestimi,” theksoi ai.
Nëse parashikimi i tij del i saktë, Franca mund t’i rikthejë shumë shpejt thesaret e saj historike.
