Stenda e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR 2026, në Madrit, Spanjë, ka tërhequr interes të lartë nga vizitorë dhe operatorë turistikë nga vende të ndryshme të botës, duke reflektuar rritjen e vëmendjes ndërkombëtare ndaj Shqipërisë si destinacion turistik.

Në stendën shqiptare prezantohen destinacionet kryesore turistike të vendit, vlerat e trashëgimisë kulturore, si dhe produktet tradicionale, të cilat përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të ofertës turistike kombëtare.

Ky prezantim synon të pasqyrojë diversitetin e Shqipërisë dhe potencialin e saj për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale momente nga aktivitetet në stendën e Shqipërisë, duke theksuar interesin dhe kureshtjen e vizitorëve për të njohur më nga afër destinacionet shqiptare.

“Çdo moment pulson me interes dhe kureshtje për të zbuluar e përjetuar Shqipërinë në të gjitha dimensionet e saj”, u shpreh ministri Gonxhja.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në FITUR 2026 vlerësohet si një mundësi e rëndësishme për promovimin e turizmit shqiptar në tregjet ndërkombëtare, për forcimin e bashkëpunimit me operatorë turistikë dhe për rritjen e numrit të vizitorëve të huaj në vend.

Referuar të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) 12,466,038 shtetas të huaj kanë vizituar vendin tonë gjatë vitit që lamë pas.

Kjo shifër shënon një rritje vjetore prej 6.6% krahasuar me vitin 2024, duke dëshmuar se trendi rritës i Shqipërisë si destinacion turistik po konsolidohet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds