Gjykata e Fierit vijon bojkotimin e seancave pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku humbi jetën tragjikisht gjyqtari Astrit Kalaja. Avokati Ervis Goxhaj kujton sulmin me armë brenda gjykatës së Fierit në vitin 2007, ku një person i përfshirë në një proces gjyqësor civil qëlloi me armë gjyqtaren Irena Maneku pas shpalljes së vendimit. Nga të shtënat mbeti i plagosur roja e sigurisë, por ngjarja bëri që për herë të parë në një gjykatë në vend të vendosej roje sigurie dhe dedektorë të metaleve.
Po sipas tij sot Gjykata e Fierit megjithëse me kontroll të rreptë në hyrje, vazhdon të ketë mangesi në standartet e sigurisë së gjyqtarëve, prokuroëve dhe avokatëve. Sipas Goxhajt mbingarkesa pas hartës së re gjyqësore dhe mungesa e hapësirave për zhvillimin e gjyqeve, cënon sigurinë e magjistratëve.
Ndërkohë avokati Goxhaj pavarësisht zvarritjeve që sjellin proceset gjyqësore, që tejlodhin qytetarët e konsideron çmënduri njerëzore shprehjen” i lumtë dora agresorit” . Ka një agresion të frikshëm nga qytetarët ndaj njerëzve të drejtësisë ndaj sot siguria e tyre është në rrezik.
Gjykata e Fierit në reagimin e saj, sulmin vdekjeprurës ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja e ka cilësuar goditje ndaj themeleve të Shtetit të së drejtës dhe ndaj çdo qytetari që beson në ligj dhe drejtësi.
Plagosja me armë e gjyqtares së Fierit në vitin 2007 ishte rasti i parë në vend ku një gjyqtar sulmohej brenda gjykatës në krye dhe për shkak të detyrës. Që atëherë kontrollet për hyrjen në gjykatë u forcuan. Me 21 gjyqtarë dhe mbulimin e një popullsie prej 300 mijë banorësh, gjykata e Fierit ka vetëm 5 salla gjyqesh, pa dhoma këshillimi dhe me hapësira ku më e madhja nuk i kalon 5 metra katrorë. Sipas Goxhaj duhet një godinë e re gjykate.