Fokusi i Policisë Rrugore kryesisht është beteja për vendosjen e rripit të sigurimit, respektimin e semaforëve, alkoolin në timon, celulari etj., por sot beteja është disiplinimi i drejtuesve te mjeteve, duke i edukuar që pa qenë e nevojshme, mos te parkohet gabim ose dyshe e treshe ose në vijat e bardha. Në mbështetje të këtij aksioni forcave të rendit të Komisariatit të Policisë së Lushnjës për qarkullimin rrugor qytetas, sot i erdhën në mbështetje edhe Forcat “Shqiponja”. Efektivët e kësaj force e cila është funksionale prej kohësh, janë dërguar në Lushnjë për të mbështetur punën e vështirë të parkimeve të gabuara, parkimeve dyshe e treshe në disa raste, si dhe parkimet në vijat e bardha. “Shqiponjat”, me blloqet e gjobave në duar kanë patrulluar arteriet kryesore të qytetit për të ndëshkuar shkelësit e kodit rrugor. Komisariati i Policisë Rrugore Lushnjë është i vendosur të konstatojë dhe ndëshkojë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor!
Gjithashtu duke marrë shkas edhe nga aksidentet e vazhdueshme Policia sërisht apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve: Mos shpejtoni, mos kryeni parakalime të gabuara, mos drejtoni mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, mos përdorni celularin në timon, vendosni rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, mbroni jetën tuaj dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, respektoni rregullat e qarkullimit që të arrini të sigurt në destinacion, mos u bëni statistikë!