GJKKO ka bërë reagimin e parë, pasi vendosi për Belinda Ballukun masën e pezullimit nga detyra e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, dhe ndalimin e daljes jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën.
GJKKO thekson se “në kushtet që masa e sigurimit kanë karakter sekret, gjykata në këtë moment nuk ka njoftim zyrtar për të ndarë me median dhe publikun”.
“Në momentin e duhur procedurial do të njoftoheni zyrtarisht nga ana e gjykatës”, vijon GJKO.
Njoftimi nga GJKKO Përshëndetje të gjithëve! Uroj të jeni mirë. Lidhur me lajmin e publikuar në media për caktimin e masave të sigurisë ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku, në kushtet që masa e sigurimit kanë karakter sekret, gjykata në këtë moment nuk ka njoftim zyrtar për të ndarë me median dhe publikun. Në momentin e duhur procedurial do të njoftoheni zyrtarisht nga ana e gjykatës.
Zv/kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, u mor zyrtarisht e pandehur në 31 tetor 2025 me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera publike. Hetimi lidhet me procedurën e tenderit për Ndërtimin e tunelit të Llogarasë, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë). Tenderi fillimisht u hap më 11 dhjetor 2020, u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me fond limit 18,967,810,952.08 lekë pa TVSH.
Hetimi ka nisur pas një kontrolli në banesën e ish-Drejtorit të ARRSH-së, Ervis Berberi, nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në shkurt 2024, ku u sekuestruan telefona, pajisje kompjuterike dhe dokumente. Ekspertimi i këtyre pajisjeve ka mundësuar rikuperimin e komunikimeve të Berberit dhe bashkëshortes së tij, Adela Ruko, të cilat sollën më pas krijimin e dosjes lidhur me përfshirjen e Ballukut.
Mësohet se Balluku ka rënë në rrjetën e komunikimeve me vartësin e saj Evis Berberi gjatë kohës kur ai drejtonte ARRSH-në, ndërsa roli i saj në paracaktimin e fituesve të tenderave publikë mbetet objekt hetimi.
Tenderi i tunelit të Llogarasë, i hapur nga ministria e Infrastrukturës në 1 dhjetor 2021, u fitua në mars 2022 nga bashkimi i kompanive “Hill International N.V” dhe “Net-Group”, pasi kompanitë “Stucky L.T.D” dhe “Gjeokonsult & CO” u skualifikuan për shkelje të kushteve të tenderit. SPAK dyshon se kjo skualifikim mund të ketë qenë i qëllimshëm për favorizimin e fituesve, për shkak të lidhjeve mes Berberit, biznesmenit Valter Begaj dhe ministres Belinda Balluku.
Hetimet kanë përfshirë gjithashtu tërheqjen e dokumenteve nga ARRSH për praktikën e prokurimit që lidhet me mbikëqyrjen e punimeve në tunelin e Llogarasë, si dhe verifikimin e aksioneve të kompanisë “Net-Group”, të cilat më 4 dhjetor 2024 iu dhuruan bashkëshortes së Valter Begajt, Loreta Vallja.