Vazhdojnë debatet kryesisht me postime në rrjetet sociale për vlerësimin nga Bashkia Lushnjë me titullin “Qytetar Nderi” Dr. Gjergj Velos, drejtues i pushtetit ekzekutiv në vitet 1975-1989 në Lushnjë. Zoti Velo është edhe Kryetari i Organizatës së Dëshmorëve të Kombit që propozoi këtë vlerësim.
Përmes një postimi ka reaguar në rrjetet sociale Këshilli Bashkiak i Lushnjës pas deklaratës së djeshme për mediat nga zyra e PD dega Lushnjë që me anë të zotit Çela kundërshtonte këtë vlerësim të një zyrtari të kohës së diktaturës.
Në deklaratën e Këshillit Bashkiak thuhet se:
Nisur nga interesi i opinionit publik dhe ai mediatik, por edhe qëndrimet e disa aktoreve politik në lidhje me vendimin e datës 29 shtator 2025 të Këshillit Bashkiak Lushnjë për të nderuar me titullin “Qytetar Nderi” të Lushnjës, z.Gjergj Velo, sqarojmë se vendimi me shumicë votash në Këshillin Bashkiak ( kanë votuar kundër vetëm 2 Këshilltare Bashkiak) është marrë në fund të një procesi ku janë zbatuar të gjitha procedurat ligjore.
Vec motivacionit për të nderuar z.Gjergj Velo për të gjithë angazhimin dhe kontributin e tij në zhvillimin urban të qytetit të Lushnjës, bashkia Lushnjë sikurse edhe në disa raste të tjera, i është drejtuar me një kërkesë për informacion në datë 9 tetor 2024 Autoritetit për Informimin mbi Dokumentat e Ish-Sigurimit të Shtetit, në lidhje me verifikimin e pastërtisë së figurës për kandidatin e propozuar për marrjen e titullit të nderit, z.Gjergj Velo. Në përgjigjen zyrtare të kthyer më 27 nëntor 2024, “Autoriteti” konfirmoi pas verifikimit, pastërtine e figurës së kandidatit të propozuar për titullin “Qytetar Nderi”.
Propozimi për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për z.Gjergj Velo u bë nga Organizata Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut, dega Lushnjë, si dhe u mbështet nga bashkia Lushnjë. Propozimi kaloi me 4 vota pro dhe 1 kundër në Komisionin Këshillor për dhënien e Titujve te Nderit, ndërsa në Këshillin Bashkiak Lushnjë, në mbledhjen e datës 29 shtator 2025, propozimi u miratua me 21 vota pro dhe 2 kundër.
Këshilli Bashkiak Lushnjë në funksion të llogaridhenies dhe transparences së plotë me publikun është i hapur në dhënien e informacionit të plotë dhe zbardhjen e procesverbaleve të mbledhjeve në punën e Komisioneve të Këshillit Bashkiak dhe mbledhjet e Këshillit Bashkiak gjithashtu, institucione që kanë kryer funksionet e veta me rigorozitet dhe në përputhje të plote me rregulloret dhe dispozitat ligjore .
Kundër këtij vendimi votoi Kryetari i grupit të opozitës në Këshillin Bashkiak Klement Çela dhe një anëtar i opozitës.