Situata humanitare në Gaza është përshkallëzuar në mënyrë dramatike, me Kombet e Bashkuara që paralajmërojnë se territori palestinez është kthyer në një “ferr në tokë”, ndërsa punonjësit shëndetësorë dhe humanitarë po bien të fikët nga uria dhe lodhja.
Kreu i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini, tha të martën se mjekë, infermierë, gazetarë dhe stafi i agjencisë së tij janë në gjendje ekstreme fizike për shkak të mungesës së ushqimit. “Shumë prej tyre po bien të fikët gjatë detyrës, për shkak të urisë dhe rraskapitjes,” tha ai në një deklaratë të shpërndarë nga zëdhënësi i tij në një konferencë për shtyp në Gjenevë.
UNRWA vlerëson se rreth 1,000 palestinezë kanë humbur jetën që nga fundi i majit, ndërsa përpiqeshin të gjenin ndihmë ushqimore.
“Ushtria izraelite hyri në ambientet e ndërtesës, duke i detyruar gratë dhe fëmijët të evakuoheshin në këmbë drejt al-Mawasit për shkak të konfliktit aktiv. Anëtarët meshkuj të stafit dhe të familjes u prangosën, u zhveshën, u morën në pyetje në vend dhe u kontrolluan me armë”, tha ai.
Lazzarini theksoi gjithashtu se “askund nuk është e sigurt” në Gaza, ndërsa ndihma ndërkombëtare ngelet e bllokuar për shkak të kufizimeve të ashpra.
Pas dështimit të bisedimeve për një armëpushim gjashtëjavor, Izraeli vendosi më 2 mars një bllokadë totale, duke ndaluar hyrjen e çdo ndihme, e cila u lehtësua pjesërisht vetëm në fund të majit me një fluks minimal kamionësh.
Në një postim në platformën X, UNRWA njoftoi se çmimet e ushqimeve në Gaza janë rritur me 40 herë, ndërkohë që ndihmat që ndodhen në depot jashtë territorit mund të ushqejnë të gjithë popullsinë për më shumë se tre muaj, por ende nuk janë lejuar të hyjnë në Gaza.