Gaforrja blu e shfaqur prej disa vitesh në bregdetin e Adriatikut, po shkatërron kohë pas kohe sektorin e peshkimit në lagunën e Karavastasë. Prej mëse dy javësh peshkatarët e Divjakës kanë nisur sezonin e gjuetisë si në lagunë, ashtu edhe në det. Prania e gaforres, vazhdimisht me fillimin e sezonit të gjuetisë së peshkut e dëmton sektorin e peshkimit pasi jo vetëm e konsumon peshkun, por edhe e largon duke mos e lejuar të futet në lagunë, gjithashtu dëmton edhe rrjetat e peshkimit. Të ardhurat e sektorit të peshkimit janë çdo vit në rënie. Nga një vëzhgim i bërë në momentin e vjeljes së peshkut në reze, rezulton se 80 % e përbëjnë gaforret dhe 20% është peshk.
Prania e kësaj specieje grabitqare ka vënë në vështirësi jo vetëm peshkatarët nga ana ekonomike, por edhe specialistët e fushës të cilët nuk shikojnë asnjë zgjidhje për eleminimin e saj, megjithëse peshkatarët mundohen t’a eleminojnë gaforren e kapur duke e tharë atë dhe duke e groposur. Bashkia e Divjakës i ka ardhur në ndihmë sektorit të peshkimit duke i vënë në dispozicion një eskavator amfib për të mbajtur hapur grykat e komunikimit të detit me lagunën.