Në epokën digjitale, shumë sjellje të përditshme po kthehen në probleme të etikës moderne. Ekspertët theksojnë se edhe në epokën digjitale, rregulli bazë mbetet i njëjtë: respekti për të tjerët.

Në një botë të dominuar nga rrjetet sociale dhe pajisjet inteligjente, komunikimi është bërë më i lehtë se kurrë por edhe më i rrezikshëm për keqkuptime dhe sjellje të papërshtatshme.
Eksperti i etikës, Ëilliam Hanson, rendit disa nga gabimet më të shpeshta të sjelljes moderne dhe mënyrat për t’i shmangur ato.
Një nga problemet më të zakonshme lidhet me mënyrën si njerëzit përdorin rrjetet sociale.
Shpesh, postimet për ditëlindjet e miqve kthehen në promovim personal, ku personi që poston duket më në qendër sesa vetë ai që ka ditëlindjen.
Sipas ekspertëve, këto gjeste duhet të jenë më të thjeshta dhe të sinqerta.
Një tjetër sjellje e përhapur është dërgimi i mesazheve zanore pa asnjë shpjegim.
Edhe pse praktike, ato mund të krijojnë konfuzion te marrësi nëse nuk shoqërohen me një përshkrim të shkurtër.
Po aq e bezdisshme konsiderohet edhe kontrollimi i vazhdueshëm i orës inteligjente gjatë një bisede, pasi jep përshtypjen e mungesës së interesit.
Në ambientet publike, përdorimi i telefonit me zë të lartë, dëgjimi i muzikës pa kufje apo zhvillimi i telefonatave në “speaker” po kthehen në një shqetësim të përditshëm.
Ekspertët e konsiderojnë këtë si mungesë respekti ndaj të tjerëve.
Edhe komunikimi profesional nuk i shpëton gabimeve.
Dërgimi i email-eve jashtë orarit të punës mund të krijojë presion të panevojshëm te kolegët, ndërsa mungesa e formave të mirësjelljes në mesazhe e bën komunikimin më të ftohtë dhe më pak profesional.
Në jetën sociale, disa nga gabimet më të zakonshme përfshijnë vonesat pa njoftim, moskthimin e përgjigjes për ftesat apo sjelljen e personave të paftuar në evente.
Po ashtu, shpërndarja e fotove të të tjerëve sidomos e fëmijëve pa leje konsiderohet një shkelje serioze e privatësisë.
