Organizata “Freedom House” me seli në Uashington ka publikuar raportin vjetor ku vlerëson se Kosova dhe Shqipëria mbesin vende “pjesërisht të lira” pavarësisht përparimit në disa fusha për avancimin e të drejtave të njeriut dhe lirive të qytetarëve. Në raportin mbi “Lirinë në Botë”, Kosova këtë vit vlerësohet me 60 pikë nga 100 pikë maksimale, pa ndryshime nga viti i kaluar. Në të kaluarën, organizata “Freedom House” e ka cilësuar Kosovën si vend në tranzicion me një sistem hibrid qeverisjeje.

Ndërkaq, në indeksin e Lirisë Globale Shqipëria vlerësohet me 68 pikë, duke shënuar përparim me një pikë në raport me vlerësimin e vitit të kaluar. Shqipëria po ashtu konsiderohet si vend në tranzicion me sistem hibrid të qeverisjes. Ekspertja e organizatës “Freedom House” për Ballkanin, Alexandra Karppi, thotë se“megjithëse ekzistojnë shqetësimeve për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve, janë bërë përparime të mëdha në respektimin e të drejtave të minoriteteve dhe të drejtave fetare.”

Sipas zonjës Karppi, kjo do të thotë se në Shqipëri gjykatat tani janë në pozitë më të mirë që t’u shërbejnë qytetarëve dhe janë më efikase. “Kjo do të thotë se në Shqipëri po përmirësohet dukshëm qasja e qytetarëve tek sistemi i drejtësisë dhe ky përparim duhet të vlerësohet”, shtoi ajo. Ekspertja Karppi thotë se mungesa e transparencës dhe qeverisja jofunksionale vazhdojnë të përbëjnë shqetësim në Shqipëri. Ajo përmendi mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, gjatë të cilave, sipas saj, “nuk është krijuar një mjedis për zgjedhje më të lira dhe më të drejta.”. “Përgjithësisht Shqipëria ka përparuar këtë vit duke u dhënë mundësi qytetarëve që serish të marrin pjesë në proceset demokratike duke iu përmbajtur angazhimeve për reforma të marra para Bashkimit Evropian”.

[lazy-load-videos-and-sticky-control id=”ta4QKqvJwJM”]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds