Një alpinist ka humbur jetën në pyllin e virgjër të Fraktos pranë qytetit Drama në Greqinë veriore , kur ai dhe shoku i tij u sulmuan nga një ari.
Gjithçka ndodhi pasditen e djeshme kur dy miqtë alpinistë , bashkë me një qen , po ecnin në pyll mes pemëve të dendura pasi shkuan tek një përrua ku ishte rrëzuar para 77 vitesh një avion luftarak . Por papritmas kanë parë para tyre një ari të madh.
Menjëherë duke përfituar nga qeni që ka hyrë para ariut kanë nxjerrë sprej piperi që kishin me vete dhe kanë spërkatur kafshën e egër , por ariu sulmoi njërin prej tyre dhe e hodhi nga një shkëmb në një greminë me thellësi gati 800 metra.
Alpinisti tjetër që ka shpëtuar pasi ka vrapuar dhe është larguar duke u njgitur në një pemë , i shokuar ka marrë në telefon Departamentin e Zjarrfikësve . Bashkë me pjestarët e Ekipeve të Emergjencës u hartua dhe u zhvillua një operacion gjigand shpëtimi që zgjati për shumë orë në këtë zonë deri sa nga sinjali i telefonit celular u gjet trupi i alpinistit tjetër fatkeq.
Alpinisti që u shpëtua (Dhimitris Kioroglou) ka përshkrua momentin tragjik në mediat greke : “Po ktheheshim tek makinat tona. Në një moment, Christos (alpinisti tjetër) ishte para meje afër buzës së greminës ku kishte disa shkëmbinj dhe shkoi të shihte pamjen. Unë nuk shkova në atë anë dhe vazhdova pak drejt për disa metra kur ai më thirri “Ariu… Dhimitri, eja dhe shiko”. U përpoqa të shkoja, por nuk munda të shihja. Dhe papritmas u shfaq 2-3 metra përpara meje një ari shumë i madh që po më sulmonte. Nuk pata kohë të reagoja, kjo është e vërteta. Qeni im e pengoi dhe më dha 2-3 sekonda për të nxjerrë sprejin me piper. E spërkata. Ai iku me vrap, shkoi te Christos që ishte në buzë të shkëmbit, e shtyu dhe ai ra në greminë”.
Sipas alpinistit që shpëtoi ishte një ari shumë i madh, ngjyrë kafe që e shtyu me shumë forcë ,egërsi dhe shpejtësi shokun e tij. Sulmi i kafshës së egër ndodhi rreth 2 orë e gjysëm larg rrugës më të afërt të zonës.
Ekipet e shpëtimit e kanë gjetur pa ndjenja alpinistin e dytë dhe pasi ka mbërritur një helikopter e kanë transportuar në aeroportin e Krisoupolis dhe prej andej në Spitalin e Përgjithshëm të Kavallës. Gjatë rrugës është konstatuar se ai kishte humbur jetën.
Lajmi ka tronditur gjithë opinionin publik të Greqisë që ka ndjekur me ankth në media gjithë zhvillimet e ngjarjes tragjike, por edhe nga organizatat e ambientalistët që kujdesen për kafshët e egra.