Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në maternitetin “Koço Gliozheni”, ku një foshnje e porsalindur humbi jetën pak ditë pas lindjes, duke ngritur dyshime për neglizhencë mjekësore. Prindërit e foshnjes kanë kallëzuar në polici mjekun Kastriot Dallaku, i cili ishte në detyrë gjatë ditës kritike për shtatzëninë.

Sipas kallëzimit të bërë dy ditë më parë në Komisariatin Nr. 1 nga një 34-vjeçar, babai i foshnjes, ai dhe bashkëshortja kishin ndjekur të gjitha kontrollet rutinë për shtatzëninë deri të enjten e kaluar. Të premten, gruaja kishte ndjerë se foshnja nuk po lëvizte si zakonisht dhe pas telefonatës me mjekun që kishte ndjekur shtatzëninë, iu rekomandua të paraqiteshin në spital për kontroll.

Në turn ishte mjeku Kastriot Dallaku, ndaj të cilit tashmë rëndon kallëzimi për neglizhencë. Sipas dëshmisë së prindërve, mjeku kreu një grafi të shkurtër për monitorimin e rrahjeve të zemrës së fetusit dhe siguroi çiftin se gjithçka ishte në rregull, duke i këshilluar të ktheheshin në shtëpi.

Babai i fëmijës pretendon se i kërkoi mamisë të kontrollonte edhe ujin amniotik pasi kishte ndjesinë se diçka nuk shkonte, por nuk u morën masa shtesë.

Të shtunën, gjendja e nënës u përkeqësua dhe pas një temperature të lartë, çifti u kthye në spital. Aty u realizua menjëherë një lindje me operacion, brenda më pak se shtatë minutash. Foshnja lindi në gjendje të rënduar, u intubua dhe u dërgua në reanimacion. Megjithë përpjekjet e stafit mjekësor, e porsalindura ndërroi jetë të hënën si pasojë e insuficiencës multiorganore.

Policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet për të verifikuar përgjegjësitë konkrete dhe për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje të protokolleve mjekësore gjatë trajtimit të rastit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds