Fluksi i udhëtarëve në pikën kufitare të Qafë Thanës vijon me intensitet të lartë, veçanërisht gjatë ditëve të fundit, si pasojë e rritjes së numrit të turistëve që hyjnë në Shqipëri për pushime verore.
Dhjetëra automjete nga Maqedonia e Veriut janë parë në radhë duke pritur për të hyrë në vendin tonë.
Për të përballuar fluksin, autoritetet kufitare kanë shtuar masat organizative, duke hapur 4 sportele për udhëtarët dhe një sportel të veçantë për mjetet e tonazhit të rëndë.
Policia Kufitare dhe Dogana po punojnë me kapacitet të plotë për të garantuar një qarkullim sa më të shpejtë dhe pa vonesa të gjata.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë tre ditëve të fundit në pikën kufitare të Qafë Thanës janë regjistruar rreth 30 mijë hyrje dhe dalje, si dhe mbi 11 mijë mjete që kanë kaluar në të dy drejtimet. Shumica e udhëtarëve janë turistë dhe emigrantë që vijnë për të pushuar në bregdetin shqiptar, veçanërisht në zonat e Durrësit, Vlorës dhe Rivierës së Jugut.
Pritet që fluksi të shtohet edhe më shumë gjatë fundjavës, ndaj autoritetet u bëjnë apel udhëtarëve të tregojnë durim dhe të respektojnë udhëzimet në kufi për një kalim sa më të shpejtë dhe të sigurt.