Në zemër të Zagrebit u mbajt dje parada ushtarake dhe shtetërore për të përkujtuar 30-vjetorin e Operacionit “Oluja”, ofensiva që në gusht të vitit 1995 shënoi fitoren vendimtare të Kroacisë ndaj forcave serbe dhe rivendosi sovranitetin e saj territorial.
Ngjarja mblodhi drejtuesit më të lartë të shtetit kroat, përfaqësues të ushtrisë, veteranë të luftës dhe aleatë ndërkombëtarë.
Mes flamujve të shumtë që u valëvitën në bulevardet e Zagrebit, u vu re edhe flamuri shqiptar, në nderim të kontributit të shqiptarëve që luftuan përkrah kroatëve për lirinë e vendit. Shqiptarët dhanë një kontribut të rëndësishëm në Ushtrinë Kroate gjatë viteve të luftës.
Pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë luftë mbetet një simbol i lidhjeve të forta mes popullit kroat dhe atij shqiptar, të ndërtuara mbi vlerat e përbashkëta të lirisë dhe rezistencës ndaj shtypjes.