Me dëshmitë e djemëve të fisit Syku, Albert dhe David, hodhëm dritë jo vetëm mbi personazhin e famshëm Tuc Maku të filimit Toka Jone’’, por edhe fatit të grave, burrave dhe femijeve të kesaj familje te madhe nga Bregu i Mati, të cilet i njohën të gjitha rrathët e ferrit komunist me përndjekje, internime, burgime, punë të detyruar, izolim shoqeror, mohim të arsimit dhe edukimit dhe tallje publike e përsëritur, në kushtet e mungesës së zërit të tyre për dekada të tëra.
Me ta e nisëm sot rrugëtimin e Klubit të Filmit “Mësojmë nga e Kaluara” në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), një nismë e re edukimi dhe reflektimi mbi mënyrën se si kinemaja e periudhës komuniste iu nënshtrua censurës së regjimit dhe ndikoi në formësimin e kulturës politike, shoqërore duke shtrëmbuar perceptimin mbi të ashtuquajturat reforma të zbatuara ne diktaturë dhe që vijojnë edhe sot e nxisin nostalgji të dëmshme.
Kryetarja e AIDSSH, Dr. Gentiana Sula, theksoi domosdoshmërinë e ndërtimit të mendimit kritik përmes filmave të prodhuar gjatë viteve ’44–’91, duke vënë në qendër konceptin e mendimit historik duke deklaruar “se nuk bëhet fjalë vetëm për fatin e një familjeje apo njollosjen e reputacionit të një individi, por për ngjarje me domethënie të lartë historike, ngjarje që patën ndikim afatgjatë gjatë dhe pas diktaturës.”
Filmi i parë i diskutuar është “Toka jonë”, një vepër e cila trajton reformën agrare dhe kolektivizimin.
“Fakti që një diskutim i tillë mbi filma të komunizmit po ndodh vetëm pas 35 vitesh tregon se ende ka barriera institucionale, klishe dhe stereotipe që duhen adresuar. Filmat e asaj kohe nuk janë vetëm art – ata janë dokumente të një strategjie propagande, një forme të inxhinierisë shoqërore që ndikoi thellë në ndërgjegjen kolektive.
‘Toka jonë’ nuk është thjesht historia e një personazhi; është historia e një familjeje të tërë të përndjekur, e një komuniteti të tërë të stigmatizuar. Përmes këtij Klubi të Filmit, ne synojmë t’u japim brezave të rinj mjetet për të ndarë artin nga propaganda dhe për të kuptuar kostot njerëzore të një sistemi që e shihte individin si ‘kontingjent’ që në lindje.
Historia që shfaqet në këta filma është shumë më e madhe se një episod artistik. Ajo përfshin ngjarje politike, ekonomike dhe shoqërore që kanë lënë gjurmë të thella dhe vazhdojnë të ndikojnë edhe sot. Ndaj detyra jonë është t’i rikthejmë në diskutim dhe t’i dokumentojmë me përgjegjësi.”
Drejtorit të AQSHF, z. Eljan Tanini tha se : “Arkivi i Filmit ruan historinë tonë filmike, një trashëgimi e çmuar që na shërben për të mësuar,. Filmat e së kaluarës mbartin vlera artistike dhe dëshmi të kohës, pavarësisht ngarkesës ideologjike që i shoqëroi. Me Klubin e Filmit te Autoritetit krijojmë një hapësirë ku filmi lidhet me dokumentin arkivor, duke i ndihmuar sidomos të rinjtë t’i lexojnë këto vepra me sy kritik dhe të informuar.’
Anëtari i AIDSSH, z. Gjergj Marku theksoi se “Toka jonë” përfaqëson një shembull tipik të mënyrës se si kinemaja u përdor për të legjitimuar politikat e kohës, duke ndërtuar narrativa të njëanshme që sot duhen lexuar përtej propagandës. Filmi është plot me të pavërteta dhe ne i japim kuptim historisë vetëm kur themi të vërtetën; në të kundërtën nëse nuk e themi atë bëjmë të njëjtën gjë si në diktaturë.
Në analizën e tij historike, studiuesi Xhafer Sadiku, nënvizoi se reforma agrare dhe kolektivizimi, të paraqitura si zhvillim ekonomik dhe social në realitet sollën vetëm goditjen e shtresave të ashtëquajtura të pasura,solli perndjekjen, izolimin shoqëror të tyre, internime, dënime dhe burgime.
Sipas tij lufta e klasave në një shoqëri pa klasa siç propagandonte pushtetit totaliar është terrorizëm.
Studiuesja e artit, znj. Anxhela Çikopano, shtoi se drama “Toka Jonë” ishte një nga dramat më të vëna në skenën e realizimit socialist, e cila u ripërshtat shumë shpejt për nevojat ideologjike të pushtetit. Ajo u shkrua për të ndërtuar konfliktin ideologjik përmes artit, duke përdorur personazhet “negativë” si figura përfaqësuese të atyre që regjimi shpalli armiq, ç’ka tregon se filmi ishte një mekanizëm estetik i kontrollit të partisë mbi shoqërinë.
“Për të kuptuar të shkuarën, duhet të çlirohemi nga ajo që ka ndodhur, dhe sfida më e madhe për ne si studiues është të çlirohemi nga emocionet; vetëm përmes fakteve dhe analizës arrijmë të ndajmë të vërtetën nga shtrembërimi,” shtoi znj. Çikopano.
Në prezantimin e tij, Dr.Edlir Orhani, solli gjetje të rëndësishme arkivore nga dokumentet arkivore te ish- Sigurimit të Shtetit të cilat hedhin dritë mbi realitetin e familjes Syku, duke treguar kontrastin midis narrativës filmike dhe dokumenteve historike që dëshmojnë trajtimin e padrejtë të këtyre familjeve si dhe dënimet e padrejta me burgim.
Pasardhësi i familjes Syku, z. David Syku solli para të pranishmëve historinë e familjes se tyre ndër më të goditurat, e cila në kinemanë e kohës u portretizua përmes figurës së “Tuc Makut”.
Ai rikujtoi historinë e familjes së tij dhe Bregut të Matës, duke përshkruar pasojat e reformës agrare dhe përndjekjen e familjeve të pronarëve që nuk u pajtuan me regjimin komunist. David Syku vuri në dukje indoktrinimin dhe propagandën komuniste, përfshirë dramën dhe filmin “Toka jonë”, të shkruar nga arsimtari Kol Jakova për të mbështetur sistemin.
Babai i tij, Prel Syku, u arrestua në vitin 1951 dhe u dënua me 20 vite burg, prej të cilave vuajti 12. Ai u arrestua sërish në vitin 1978 dhe ridënua me 10 vite për “agjitacion dhe propagandë”. David Syku përshkroi vizitat në burgje si Spaçi, Ballshi, Tirana dhe Shkodra, dhe momentet prekëse të takimeve familjare me babanë e tij.
Në përmbyllje, Rovena Rrozhani, e cila moderoi takimin riktheu pyetjen: si duhet ta lexojë brezi i sotëm një film, kur sot dokumentet tregojnë një realitet të shtrembëruar?
Pjesëmarrësit në debatin që shoqëroi aktivitetin tha se filmi duhet parë si burim studimi, jo si dëshmi historike, ndërsa analizat arkivore dhe rrëfimet njerëzore ndihmojnë të dekonstruktohen modelet e stigmatizimit që kinemaja komuniste mbolli tek publiku i kohës dhe që, në mënyra të nëndërgjegjshme, vijojnë edhe sot.
Klubi i Filmit synon të sjellë një lexim të ri, të balancuar dhe të bazuar në dokumente.
Nisma është pjesë Platformës Arsimore “Mësojmë nga e Kaluara -me burime te hapura arsimore ‘44-‘91″, e cila u ofron mësuesve, nxënësve dhe studiuesve materiale arkivore të digjitalizuara, pasazhe filmike të përzgjedhura, dëshmi të mbijetuarve, module diskutimi të udhëhequra nga ekspertë të arsimit, historisë dhe artit. Qëllimi është të ndërtohet mendimi kritik dhe të kuptohet më qartë lidhja mes artit, propagandës dhe shtypjes së grupeve shoqërore.
Filmat shqiptarë të prodhuar gjatë periudhës komuniste nuk i shpëtonin asnjë detaji të censurës. Në ta, kategoritë e shpallura “armiq të klasës” paraqiteshin në mënyrë të njëtrajtshme: të pabesë, agjente huaj. Armiq te popullit.
Ky stereotip përfshinte:familjet e pasura dhe pronarët e tokës, tregtarët dhe zejtarët e pavarur,intelektualë të konsideruar “të dyshimtë”, njerëz me biografi “të keqe” që shpesh as nuk kishin kryer asnjë faj. Roli “negativ” në film, i interpretuar nga aktorë që sot i njohim për talentin e tyre, përkthehej në realitet në izolim, tallje publike, refuzim social dhe ndërprerje të prespektivës të jetës.
Kinemaja e ndikuar dhe nenpresion ushqente paragjykimet dhe i justifikonte politikat e regjimit. Kjo trashëgimi kulturore, e gdhendur në kujtesën kolektive për dekada, ende ka pasoja në mënyrën si shoqëria i percepton sot disa kategori sociale.
