Vaksina kundër gripit ka nisur të aplikohet në të gjitha qendrat shëndetësore në Fier, Patos dhe Rroskovec. Fushata ka nisur më herët se vitet e kaluara me qëllim rritjen e efektivitetit në organizëm në pritje të një “shpërthimi”  të gripit  në tetor me 27 600 vaksina, rreth 300 më tepër se vitin e kaluar.

Shefja e epidemiologjisë pranë Njësisë së Kujdesit Shëndetësor në Fier, Anila Moçi,  thotë se vaksina krijon antitrupat tre javë pasi aplikohet dhe deri tani janë aplikuar  5700 doza.

Fieri renditet ndër qarqet me shifra të larta të personave të vaksinuar. Interes për vaksinimin ndaj gripit po tregojnë edhe prindërit e fëmijëve që frekuentojnë kopshtet dhe çerdhet.

Personelit mjekësor, si përdorues të rregullt të vaksinës po i shtohen edhe mësuesit për të reduktuar përhapjen e virozave të gripit.

Aktualisht në popullatë  po qarkullon edhe  koronavirusi. Moçi shpjegon se me rritjen e numrit të testimeve, ka rritje të rasteve të evidentuara me covid.

Në Fier aplikohet 1/10 e numrit të përgjithshëm të vaksinave kundër gripit.  Kjo ka ulur numrin e vdekjeve si pasojë e komplikacioneve nga virusi, duke shënuar vetëm një deri në dy vdekje në vit, kryesisht të moshuar me sëmundje kronike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *