Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur gjatë natës né lagjen “8 Shkurti” në Fier. Në tentativë për të vjedhur një 47 vjeçar, ka humbur jetën pasi gjyma e trupit i është bllokuar në dritaren prej duralumini nga e cila ka tentuar të hyjë në banesë. Sipas vëllait të kryefamiljarit, Nikollaq Lule, banesa tre katëshe i përket Uan Lules i cili prej një muaji ndodhet në Greqi tek fëmijët e tij. Ai tregon se fqinji që përkujdeset për banesën e ka gjetur të vdekur në dritare hajdutin dhe ka lajmëruar menjëherë policinë.
Sipas njoftimit të policisë 47-vjeçari i identifikuar si Ilir Zarkaj , ka humbur jetën në rrethana tragjike gjatë një tentative për vjedhje gjatë orëve të natës në lagjen “ 8 Shkurti” në Fier.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se 47-vjeçari nuk ka mundur as të avancojë për të hyrë brenda banesës dhe as të tërhiqet pas për të dalë jashtë. I mbërthyer në pozicion të vështirë për një kohë të gjatë, ai ka pësuar asfiksi, duke gjetur vdekjen në vend.
Ekspertiza mjeko-ligjore ka konfirmuar se shkaku i vdekjes ka qenë pikërisht asfiksia, ndërsa vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
