Një 23-vjeçar ka plagosur me armë sportive babanë e tij natën e kaluar në Fier, pas një konflikti në familje. Policia e Fierit, është njoftuar rreth mesnatës, se një shtetas kishte plagosur babanë e tij, në banesën e tyre, në fshatin Mbrostar Ura.

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u kap dhe u vu në pranga, shtetasi J. Z., 23 vjeç.

Ai dyshohet se pas një konflikti me babanë e tij, shtetasin N. Z., 58 vjeç, e ka plagosur atë, në këmbë, me një armë të modifikuar si armë sportive.

58-vjeçari është aktualisht në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Kurse ditën e djeshme ndodhi një ngjarje e rëndë në zonën e Sukut 2, në Roskovec, ku shembja e murit rrethues të një banese i ka marrë jetën një vajzë të mitur 4-vjeçare. Sipas informacioneve paraprake, muri rrethues në pronësi të shtetasit L. T.  ishte i amortizuar dhe është rrëzuar duke zënë poshtë të miturën. Familjarët e kanë transportuar menjëherë vajzën në qendrën shëndetësore të Roskovecit, por fatkeqësisht ajo ka mbërritur pa shenja jete.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds