Kryetari i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani, ishte të premten në Fier në një takim pune me prokurorët. Me hapjen nga partitë politike të fushatave elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, Dumani e pa të nevojshme takimin me prokurorët e këtij qyteti, ku qëllimi ishte bashkëpunimi dhe koordinimi i punës për hetimin e ngjarjeve që cenojnë zgjedhjet e lira gjatë periudhës së fushatës.

“Në fokus të këtij takimi ishte bashkëpunimi dhe koordinimi mes Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në hetimin e të gjitha ngjarjeve që prekin zgjedhjet e lira e demokratike gjatë periudhës zgjedhore, kryesisht në vlerësimin me kujdes të shtuar të informacioneve, kryerjen me cilësi dhe në një kohë sa më të shkurtër të veprimeve të para hetimore, vënien menjëherë në dijeni të Prokurorisë së Posaçme për veprat penale në kompetencë lëndore të saj”, njofton Prokuroria.

Takimi i Dumanit me prokurorët vjen në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme për monitorimin e procesit zgjedhor të 11 majit për të parandaluar krimet zgjedhore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *