Dje ka ndodhur një krim i rëndë në familje në Frashër të Patosit.

Vajza vrau babanë e saj, nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), dhe e kallëzoi në polici, rreth mesnatës, si ngjarje aksidentale. Policia e Fierit ka  arrestuar 26-vjeçaren dhe nënën e saj, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar për pastrimin e trupit të 56-vjeçarit të vrarë, me qëllim inskenimin e ngjarjes si aksidentale.

Sipas policisë si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas kallëzimit të shtetases E. R., 26 vjeçe, rreth orës 23:00 të datës 23.07.2025, se babai i saj, shtetasi A. R., 56 vjeç, kishte humbur jetën aksidentalisht, në banesën e tyre, në fshatin Frashër, u finalizua operacioni “Inskenimi”.

Shërbimet e Policisë, gjatë deponimit të 26-vjeçares dhe gjatë veprimeve të para hetimore, kanë krijuar dyshim se humbja e jetës së 56-vjeçarit nuk ishte aksidentale dhe për këtë arsye kanë vijuar hetimet e thelluara.

Gjatë këtyre veprimeve të kryera në koordinim me Prokurorinë e Fierit, ka rezultuar se shtetasja E. R. ka vrarë babanë e saj, shtetasin A. R., për motive të dobëta, me mjet strangulues (mbytur me tel).

Më pas, 26-vjeçarja, dyshohet se në bashkëpunim me nënën e saj, njëkohësisht bashkëshorte e shtetasit A. R., shtetasen V. R., 53 vjeçe, kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës, duke pastruar trupin e 56-vjeçarit.

Pas këtyre veprimeve, shtetasja E. R. ka njoftuar Policinë.

53-vjeçarja u arrestua në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetes”.

Gjithashtu, vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim dokumentimin me prova ligjore të të gjitha rrethanave të këtij rasti.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *