Kandidati i PD-së në Fier, Fatjon Semanjaku, u shoqëruar dje në mbrëmje në polici. Ai ka kundërshtuar policët bashkiakë që po hiqnin një stendë elektorale të tijën në qendër të qytetit. Partia Demokratike e ka cilësuar këtë një ndalim politik, ndërsa në komisariat shkoi edhe drejtuesi politik i PD në Fier, Gazment Bardhi. Në deklaratën për gazetarët Bardhi e ka quajtur shoqërimin e Semanjakut në polici akt të paprecedentë me urdhër politik të Belinda Ballukut dhe Policinë banditë që duan të intimidojnë opozitën.
Gazment Bardhi tha se të gjithë policët që shoqëruan Semanjakun do të përgjigjen penalisht, ndërsa paralajmëroi kallëzim në SPAK edhe për kryebashkiakun Armando Subashi për shpërdorim detyre, pasi sipas Bardhit s’ka zbatuar detyrimin ligjor për të njoftuar PD-ASHM mbi hapësirat publike që duhet të shfrytëzohen për reklamë elektorale.
‘Kandidati Semanjaku është penguar fillimisht nga banditë me uniformë të të korruptuarit në krye të bashkisë, Armando Subashi, që të ushtrojë veprimtarinë e tij elektorale përmes stendave që janë forma më demokratike e komunikimit me qytetarë. Ky akt përbën një tejkalim të pashembullt të ndarjes mes shtetit dhe partisë. Ka vetëm një qëllim: të intimidojë kandidatët e opozitës në javën e fundit dhe vendimtare të zgjedhjeve të 11 majit’, tha ai.
Burime bëjnë me dije se një ditë më parë, Policia Bashkiake e Fierit ka hequr një tjetër stendë të Semanjakut, të dyja në shkelje të ligjit elektoral. Vetëm një ditë më parë, Partia Demokratike zhvilloi miting në qarkun e Fierit, ku ishte edhe kryetari i PD Sali Berisha dhe drejtuesi politik Bardhi.
Policia e Fierit në një deklaratë për mediat sqaron se efektivët bashkiakë, kanë qenë duke hequr stendën e vendosur dje në qendër të qytetit të Fierit, pasi ka qenë në shkelje të ligjit elektoral.
“Rreth orës 18:50, Drejtori i Policisë Bashkiake ka njoftuar te Salla Operative e DVP Fier se një subjekt politik ka vendosur poster në qendër të qytetit, në kundërshtim me ligjin dhe po kundërshton forcat e Policisë Bashkiake për heqjen e këtij posteri. Pas njoftimit të marrë, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat, për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, kanë shoqëruar personin që po kundërshtonte policinë bashkiake, kandidatin për deputet të Partisë Demokratike, shtetasin F. S., i cili është lënë i lirë menjëherë”, njoftoi Policia e Fierit.