Policia e Fierit ka kryer kontrolle intensive në të gjithë territorin e qarkut, në kuadër të operacionit antidrogë, “Koordinata”. Gjatë natës, në fshatin Rreth Libofshë u zbuluan 2 parcela ku kishin kultivuar bimë narkotike dhe u asgjësuan 284 bimë narkotike Cannabis Sativa. Policia arrestoi 2 shtetas.
Në kuadër të planit operacional “Koordinata”, si rezultat i kontrolleve sistematike dhe atyre të bazuara te informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier goditën një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Në fshatin Rreth Libofshë, në 2 parcela toke (pronë publike), ku ishin kultivuar 284 bimë narkotike Cannabis Sativa, u kapën shtetasit A. Sh., 50 vjeç, banues në Tiranë dhe J. B., 28 vjeç, banues në fshatin Rreth Libofshë, të cilët në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Kontrollet vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.