Manastiri i Ardenicës më 8 shtator, festoi ditën e Lindjes së Shën Marisë, një traditë e rikthyer për besimtarë ortodoksë  të zonës dhe jo vetëm, por edhe për banorët dhe turistët e shumtë që vizitojnë Manastirin e Ardenicës.

Liturgjia e Shenjtë në kishë u drejtua nga Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Imzot Nikolla që shpërndau mesazhin e dashurisë dhe nderimit të lindjes së Shën Marisë.

Festa tradicionale me panairin, ku promovohen kulinaria, prodhimet bujqësore dhe artizanale të zonës nuk u zhvillua.

Këtë vit Bashkia Lushnjë, Qendra Kulturore e Fëmijëve, këngëtarë të muzikës popullore  dhe me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollës së Kolonjës organizuan një festë simbolike me këngë e valle tradicionale. Turistët nga vende të ndryshme që vizituan Manastirin gjithashtu u përfshinë në këtë atmosferë festive.

Të pranishëm ishin Kryetarja e Bashkisë Eriselda Sefa, Prefekti i Qarkut Fier, Arben Çuko, si dhe deputetët e zgjedhur të PS.

Prefekti Çuko dhe Kryetarja Sefa uruan besimtarët ortodoksë dhe theksuan vlerat kulturore dhe historike të Manastirit të Ardenicës.  

Manastiri i Ardenicës, i ndërtuar në vitin 1282, mbetet një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë sonë që është kthyer në një prej destinacioneve turistike më të rëndësishme në vend.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *