Fermerët dhe blegtorët në zonën e Lushnjës po ngrenë shqetësimin se në shumë raste nga grumbulluesit e prodhimit, disa prej të cilëve janë biznese të vogla ose punojnë në të zezë nuk lëshojnë autofaturën për blerjen e këtij prodhimi ku përfshihet edhe qumështi prej fermerit. Kujtojmë se norma e kompensimit mbetet 10% dhe zbatohet mbi vlerën totale të faturave të lëshuara gjatë periudhës së përcaktuar për të cilën fermeri paraqet kërkesë.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Fermerëve Eduart Sharka i cili paraqiti edhe një material bazuar tek sygjerimet e fermerëve lidhur me këtë problematikë në Komisionin Parlamentar, sqaron se kjo është një masë e mirë për fermerin, por problematika qendron tek pabarazia e saj.
Sektori i bujqësisë është 80% informal, fakt i pranuar nga qeveria, kjo do të thotë që produkti i fermerit lëviz pa faturë dhe ai nuk do të marrë kompensimin, thotë Sharka. Fermerët brenda vitit kanë të drejtë të aplikojnë për përfitimin e kompensimit të TVSH-së 10% dy herë në vit në qershor dhe në dhjetor.
Zoti Sharka foli edhe për propozimin e Shoqatës së Blegtorëve që mund ta lëshojnë vetë faturën, ku u shpreh se ekziston si mundësi.
