Rexhep Tajip Erdogan garanton se Hamasi do ta respektojë marrëveshjen e armëpushimit në Gaza, e është lëkundur disa herë që prej arritjes së saj.
Presidenti turk i tha delegatëve nga Organizata e Shteteve Islamike (OIC) të mbledhur në Stamboll për samitin e tyre vjetor të bashkëpunimit ekonomik COMCEC se grupi islamik do t`i qëndrojë fjalës së dhënë, teksa shtoi se është thelbësore që kombet myslimane të luajnë një rol udhëheqës në rindërtimin e territorit palestinez.
“Duket se Hamasi është mjaft i vendosur t`i qëndrojë marrëveshjes. Në këtë pikë, ne duhet t’u ofrojmë më shumë ndihmë humanitare banorëve të Gazës dhe më pas të fillojmë përpjekjet e rindërtimit. Qeveria izraelite po bën gjithçka që ka në dorë për ta parandaluar këtë. Por është thelbësore që në këtë drejtim, vendet myslimane të luajnë një rol kyc. Unë besoj se plani i rindërtimit i përgatitur nga Lidhja Arabe dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik duhet të zbatohet menjëherë”, u shpreh Erdogan.
Komentet e tij erdhën ndërsa Turqia përgatitej të priste ministrat e jashtëm të Arabisë Saudite, Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Jordanisë, Pakistanit dhe Indonezisë për bisedime mbi rindërtimin e Gazës, ndërsa frika rritet për armëpushimin e paqëndrueshëm të 10 tetorit.
Bisedimet do të fillojnë sot në një hotel në Stamboll, me një konferencë për shtyp disa orë më vonë. Izraeli dhe Hamasi kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.
Izraeli pretendon se trupat e tij janë përgjigjur vetëm ndaj kërcënimeve të menjëhershme të paraqitura nga operativët palestinezë dhe këmbëngul se Hamasi është ai që shkel armëpushimin duke mos i kthyer trupat e pengjeve që kanë mbetur në enklavë.
