Investimet private në burime të rinovueshme të energjisë viteve të fundit kanë arritur në rreth 2 miliardë euro.

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dha këtë shifër këtë të hënë gjatë një aktiviteti për projektin e parë eolik që do të zbatohet në zonën e Tropojës. Bëhet fjalë për projektin e kompanisë CWP që parashikon një park me kapacitet të instaluar 600 MW.

Balluku e cilësoi këtë si një fazë të re për sektorin energjetik shqiptar dhe rrugën drejt diversifikimit të nisur  vite më parë.

“Parku eolik i Tropojës nuk është  thjesht një investim energjetik por simbol i transformimit që po përjeton Shqipëria, i një ekonomie më të qëndrueshme dhe më të hapur ndaj inovacionit. Sektori energjetik shqiptar po hyn në një fazë të re. Shqipëria po kalon nga varësia nga hidro në një model modern të balancuar energjetik ku diversifikimi i burimeve nuk është më një zgjedhje por domosdoshmëri strategjike.

E kemi nisur këtë rrugëtim në 2018 kur qeveria shqiptare fliste për diversifikimin. Krijimin e burimeve alternative siç ishin ato të energjisë diellore dhe më pas ato eolike. Ky tranzicion është realitet që po merr formë. Investime të huaja direkte janë treguesi më i lartë i stabilitetit ekonomik.

Vetëm në kohën e fundit mbi 1.5 mld euro investime private janë angazhuar ose janë në proces kryesisht në burime të rinovueshme në diellor dhe eolik dhe hidro me pak ndikim mjedisor.

Gjatë këtyre viteve në tërësi në sektorin energjetik shqiptar janë angazhuar mbi 2 mld euro investime dhe sot kemi mbi 700 MW kapacitete të reja energjetike private fotovolatike në operim dhe 400 më kapacitete të shtuara vetëprodhues e kemi një portofol të ardhshëm që pritet ti çojë në 1500 MW me teknologji fotovolatike dhe eolike.

Kemi mbi 1600 MW të reja depozituevse në fazë studimi dhe lehtësim financiar. Në energjinë e erës për herë të parë ne po hyjmë në ndërtimin konkret me parkun e CWP Tropojë”, tha Balluku.

Kryeministri Edi Rama vuri theksin gjatë fjalës së tij tek rëndësia e projekteve të kësaj shkalle dhe që në harkun e 12 muajve ky park i energjisë së erës në Tropojë të hyjë në rrjetin e prodhuesve të energjisë së rinovueshme në vendin tonë. Përmes këtij projekti nuk përfitohet vetëm një burim i ri energjie por dhe njohuri. Edhe ky investim shkon sipas Ramës në drejtimin strategjik dhe rrugën e përmbushjes së objektivit për ta bërë Shqipërinë një vend sovran në prodhimin e energjisë.

“Koha kur Shqipëria duhet të dalë drejt tregut për të blerë energji po shkon drejt fundit dhe ne do jemi mes atyre pak vendeve që gëzojnë pavarësi të plotë për prodhimin e energjisë”, tha Rama.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *