Mbi 45 vepra ikonografike të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar do të udhëtojnë nga Korça drejt qytetit historik Chambery në Francë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja deklaroi sot se “ekspozita unike do të zhvillohet në Muzeun e Arteve të Bukura në Chambéry, ku ikonat e përzgjedhura nga koleksioni i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë do të prezantohen për publikun francez dhe ndërkombëtar”.
Gonxhja thekson se ky projekt është pjesë e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Francës dhe do të përfshihet gjithashtu në Komitetin Shkencor Francez, duke thelluar shkëmbimin mes institucioneve muzeale të të dy vendeve.

Ai shton se ekspozita mund të konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të artit shqiptar, që afirmon Korçën si një qendër kyçe të artit mesjetar në Europën Juglindore.
Me një fond prej mbi 8200 objektesh muzeale, prej të cilave 6400 janë ikona, MKAM është muzeu me koleksionin më të madh të ikonave në botë, një thesar i rrallë i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe ndërkombëtare.
Ekspozita do të jetë e hapur për publikun nga maji deri në tetor të vitit 2026. Pas Chambery ekspozita do të zhvendoset në një tjetër qytet francez deri në mars 2027.


