Një kallzim i mbërritur nga një qytetar ka angazhuar Gjykatën e Apelit të Posaçëm duke urdhëruar SPAK-un të regjistroje kallzimin penal dhe të kryej hetime ndaj kryetares së bashkise Lushnje Eriselda Sefen.
Burime për gazetarin Edison Vatnikaj bëjnë me dije se qytetari A.H i ka paraqitur SPAK kallëzimin ndaj Sefës për dy vepra penale: E para për falsifikim të dokumenteve dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Pasi Prokuroria e Posaçme e ka regjistruar kallëzimin dhe e ka dërguar në gjykatë për mosfillim të hetimeve.
Shkalla e Parë e GJKKO-së vendosi në favor të prokurorisë duke pushuar çështjen.
Por shtetasi A.H nuk e la me kaq, ku ka depozituar ankim edhe në Apel dhe duke paraqitur fakte të reja mbi veprimet e Ermelinda Sefës.
Sipas kallëzimit, ai e akuzon Sefën për procedurën e ndjekur për dhënien me qira të pasurisë publike, ku pretendon se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin nga Këshilli Bashkiak Lushnjë dhe Kryetarja e Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa.
Kallëzuesi pretendon se ka pasur falsifikime në shkresë si dëgjesa publike, ashtu edhe në projektin për miratimin e dhënies me qira të një ambienti në rrugën “Kongresi i Lushnjës”.
Rasti 2 i konsumimit të veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” konsiston: SPAK i ka kërkuar bashkisë Lushnje të gjithe praktikën e dhënies me qira të ambientit, por Kryetarja e Bashkisë Lushnje Eriselda Sefa nuk ia ka dërguar të plotë.
Sipas kallëzuesit, kryetarja e Bashkisë Lushnje Eriselda Sefa nuk ia ka dërguar SPAK-ut qëllimisht këto dy shkresa, pasi janë tepër të rëndësishme dhe hedhin dritë mbi faktin penal për procedurën e falsifikuar.
“Kryetarja e Bashkisë Lushnje duke mos ia dërguar SPAK-ut të gjithë praktikën e plotë, del qartë se e ka bërë me qëllimin e vetëm atë të fshehjes së veprimtarisë kriminale në vitin 2022”, thuhet nga kallëzuesi A.H.
Apeli i Gjykatës së Posaçme ka urdhëruar Prokurorinë e Posaçme që të rihapë dosjen ndaj kryebashkiakes së Lushnjes Eriselda Sefa. Në fillim SPAK kërkoi pushimin e çështjes dhe shkalla e parë e GJKKO e aprovoi këtë. Por qytetari me iniciale A.H e ankimoi vendimin në Apelin e GJKKO-s.
Mësohet se rihapja e hetimit ndaj Sefës ka nisur më 30 shtator. Ajo ndodhet nën hetim mbi një kallëzim për falsifikim dokumentësh dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.
Njoftimi i GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, më datë 30.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 195 akti, datë 02.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e shtetasit A.H., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 268, datë 04.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Shfuqizimin e vendimit të mosfillimit të procedimit penal datë 24.04.2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje me kallëzimin penal nr. 81, datë 14.04.2025” dhe vendosi:
– Ndryshimin e vendimit nr. 268, datë 04.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar ankimin e ankuesit A.H. dhe duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të regjistrojë procedimin penal dhe të kryeje hetime.
– Një kopje e vendimit t’iu komunikohet palëve.
U vendos në Tiranë, me datë 30.09.2025 ora 12:45.
