Më 6 shkurt 2014 u shua e papërsëritshmja Vaçe Zela në Bazel të Zvicrës nga një sëmundje e rëndë. Ajo kishte zërin e rrallë të flladeve dhe të ujëvarave pranverore, të lakueshëm në të gjitha perkusionet e saj natyrore. Ky zë për më shumë se 40 vjet hyri në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë Atdheut.
Vaçe Zela që me zërin e saj të mrekullueshëm fitoi zemrat e shqiptarëve lindi në Lushnjë , ku sot skulptura e saj zbukuron sheshin e qytetit. Ajo në moshën 14-15-vjeçare u largua për në Tiranë ku ndoqi shkollën e mesme. Vaçja ishte vetëm 17 vjeç, kur së bashku me grupin e artistëve të rinj të Liceut Artistik “Jordan Misja”, përfaqësoi Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në Moskë, në vitin 1956.
Në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën Fëmija i parë, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.
Fituese 12 herë e festivalit, nderuar me titullin Artist i Merituar në vitin 1973 dhe Artist i Popullit në vitin 1977, me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 u largua përfundimisht prej skenës në vitin 1992.
Qytetarët e Lushnjës dhe gjithë Shqipërisë vazhdojnë të këndojnë edhe sot këngët e të madhes Vaçe Zela.
