Një ngjarje e rëndë ka tronditur sistemin e drejtësisë në Kosovë. Prokurori Beqë Shala, i cili ushtronte detyrën në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, është arrestuar këtë të hënë me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Aksioni është zhvilluar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu.
Sipas njoftimit zyrtar nga Sistemi Prokurorial i Kosovës, Shala është prangosur në vendin e punës, ndërsa ndaj tij rëndon dyshimi për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Njoftimi i plotë:
Arrestohet një i dyshuar për veprën penale “Marrja e ryshfetit”
Prishtinë, 27 Tetor 2025 – Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren kanë arrestuar B.Sh nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
I dyshuari B.Sh., prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, është arrestuar në vendin e punës.
Prokuroria Speciale së bashku me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi.
