Policia e Gjirokastrës ka identifikuar dhe arrestuar autorin e zjarrvënies së ndodhur një ditë më parë në fshatin Kakavijë, njësia Dropull, ku u dogjën katër banesa, sipërfaqe pyjore dhe pemë frutore, ndërsa u rrezikua edhe jeta e banorëve.

I arrestuari është K. V., 39 vjeç, banor i zonës, i cili dyshohet se gjatë punës me troko në oborrin e banesës së tij ndezi zjarr, i cili më pas, për shkak të erës së fortë, doli jashtë kontrollit dhe përfshiu një zonë të gjerë banimi.

Menjëherë pas njoftimit, forcat e Policisë, në bashkëpunim me zjarrfikësen, FRONTEX-in, Forcat e Armatosura dhe me ndihmën e helikopterëve të autoriteteve greke, ndërhynë për të shuar flakët dhe evakuuan banorët në kohë, duke shmangur pasoja më të rënda.

Materialet hetimore ndaj 39-vjeçarit janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Drejtoria Vendore e Policisë në Gjirokastër u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos nisin asnjëherë zjarre të pakontrolluara. Çdo shkelës i ligjit do të përballet me pasojat penale. Qytetarët mund të denoncojnë çdo rast të tillë në numrin 112, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *