Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka bërë të ditur se ditëve të fundit ka pasur fluturime të dronëve në hapësirën ajrore të Kosovës e që dyshohet se vijnë nga Serbia.

Hoxha ka thënë po ashtu që janë në koordinim me KFOR-in, që ka nën përgjegjësi hapësirën ajrore të Kosovës.

Gjatë ditëve të fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që vijnë nga territori i Serbisë, në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR-in dhe jemi duke e bërë monitorimin se çfarë mund të bëhet. Është e rrezikshme për pjesën e kufirit por për qytetarët tanë jo. Ne jemi duke i mbrojtur. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR-it, ne e kemi njoftuar KFOR-in dhe partnerët tanë. KFOR-i, është përgjegjësi e tyre dhe janë duke punuar në këtë drejtim”, ka thënë drejtori i Policisë të premten.

KFOR nuk është përgjigjur në pyetjet lidhur me çështjen në fjalë.

Ndërkohë, të mërkurën, edhe Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte njoftuar se ka cënim të hapësirës ajrore nga dronë që dyshohet se vijnë nga Serbia.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *